Ministrat e Diasporës së Shqipërisë dhe Kosovës zhvilluan një takim me Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër. Gjatë takimit u diskutua për shqetësimet e komunitetit shqiptar sa i përket arsimit dhe për ide dhe projekte që do të mundesojnë një qasje më të lehtë ndaj librave shqip. U fol për aspektet organizative dhe financiare të marrëveshjes midis qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, e cila parashikon ndër të tjera ngritjen e dhjetëra qendrave kulturore. Ndërsa informoi të pranishmit se Shqipëria dhe Kosova po ecin bashkë në trajtimin e çështjeve të diasporës, Ministri Majko u ndal tek bashkëpunimi në fushën e arsimit. Ai tha se po punohet për një kurikulë të përbashkët e për përgatitjen e një regjistri zyrtar të mësuesëve shqiptarë jashtë vendit. Edukimin e brezit të ri, z. Majko e cilësoi si një prej prioriteteve kyçe. Dështimi në këtë aspekt, sipas Ministrit, do të përkthehej me humbje të mëdha demografike. Duke ju pergjigjur interesimit të pjesëmarrësve, Ministrat shpjeguan mekanizmat konkretë të ndërtimit dhe funksionimit të qendrave kulturore dhe nënvizuan se arsimi dhe kultura janë dy çështje themelore të ruajtjes së identitetit kombëtar.