Në shenjë mirënjohje për kontributin e komunitetit shqiptar në qytetin e Worcester në Massachusetts , kryebashkiaku i këtij qyteti z. Joseph Petty e nderoi Ministrin e Shtetit për Diasporën me Çelësin e Qytetit. Z. Pandeli Majko vizitoi të martën qytetin ku jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, i shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë ne SHBA, znj. Floreta Faber.
‘Është kënaqësia ime t’ju dorëzoj juve Çelësin e Qytetit të Worcester, në shenjë mirënjohjeje për vizitën tuaj në këtë qytet. Shpresoj të jetë e qartë se banorët shqiptarë të Worcester janë një pjesë jetësore dhe me shumë vlerë e qytetit tonë dhe ne ju falenderojmë që na nderuat me praninë tuaj këtu”, thuhej në deklaratën e dorëzimit të Çelësit simbolik të kryebashkiakut të Worcester.
Aty theksohej se shkëmbimet kulturore janë tepër të rëndësishme për të ruajtur paqen dhe prosperitetin.
Ministri i Shtetit për Diasporën shprehu mirënjohjen për vlerësimin dhe falenderoi autoritet lokale të qytetit për përpjekjet e tyre në mbështetje të komunitetit shqiptar. Gjatë qëndrimit në Worcester, z. Pandeli Majko vizitoi qendrën ‘Ilirian Garden’, e konceptuar si një shtëpi për brezin e tretë pikërisht nga emigrantë shqiptarë. Ministri u takua me drejtuesin e qendrës, z. Gregory Stefan, i cili vlerësoi kontributin e dhënë nga komuniteti shqiptar në ndërtimin e shtëpisë për të moshuarit.
Më pas, delegacioni shqiptar zhvilloi një vizitë në Kishën Ortodokse të shqiptarëve St. Mary’s Assumption.