Në aktivitetin “Samiti i Grave të Biznesit”, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko, foli mbi rolin e gruas në biznes dhe kontributin e tyre në Diasporë.
“Është shumë e thjeshtë të flasësh për politikë të re dhe marrëdhënie me Diasporën dhe shumë e vështirë ta aplikosh atë në moment praktik, nganjëherë në këtë marrëdhënie të ndërlikuar arrin të kuptosh se puna në këtë drejtim i ngjan mbjelljes dhe rritjes së ullirit, duhet të punosh me ngulm e mendoj se për të pasur rezultate aktiviteti i Samitit është një nga ngjarjet e veçanta që organizohen nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe Dhoma e Biznesit të Diasporës. Për fat të mirë është një aktivitet që nuk bazohet tashmë vetëm në vullnetin e mirë të palëve, por një aktivitet i përvitshëm dhe në çdo rast do të kemi mundësi të rishikojmë të gjitha ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e dykahshme, e biznesi pa diskutim merr një rëndësi të jashtëzakonshme, ka potenciale të pazakonshme, të pashfrytëzuara në bizneset shqiptare jashtë vendit. Me kënaqësi e çudi, kur nisa punën si Ministër i Shtetit për Diasporën kam parë studimet e PNUD mbi efektet e Diasporës në situatën e krizës ekonomike në Greqi dhe ajo që më bëri përshtypje është se krahasimisht me numrin e madh të njerëzve që u kthyen nga Greqia në Shqipëri dhe të qëndronin e të merreshin me biznes, në masën 70% i takonin protagonizmit të grave. Mendoj se këto dhe shumë fakte të tjera që tregon se Samiti i Grave të Biznesit nuk vjen në ndonjë lloj boshllëku. Jemi shumë vonë për të bërë gjënë e duhur, po më mire vonë se sa kurrë. Gratë jo vetëm në biznes por edhe fusha të tjera kanë treguar një vitalitet që është i prekshëm, revolucion i padukshëm që ka ndodhur e po ndodh në Shqipëri”, – tha Majko.
Takim bën bashkë, gra sipërmarrëse të Diasporës shqiptare dhe të vendit tonë, profesioniste të reja, gra akademike dhe eksperte në fushën e biznesit, përfaqësues të institucioneve shtetërore, si dhe të organizatave ndërkombëtare, veçanërisht ato të cilat në programet e tyre kanë zhvilluar objektiva, lidhur me gratë dhe zhvillimin e tyre në fushën e biznesit dhe sipërmarrjes.
Samiti synon prezantimin e sfidave gjatë periudhës së pandemisë, përvojave dhe modeleve të suksesshme të grave sipërmarrëse. Gjithashtu dhe mundësitë e investimeve të reja si dhe krijimin e rrjetëzimit dhe nxitjen e bashkëpunimit mes tyre.