Postuar më: 28/09/2019

Mbyllet konferenca dy ditore “Kërkimi Shkencor në Hapësirën Mbarëshqiptare dhe Roli i Diasporës Shkencore”

Në ditën e dytë të konferencës shkencore studuesit mbarëshqiptarë prezantuan punën e tyre kërkimore sipas fushës së studimit, në një nga pesë panelet: Konferenca e Shkencave të Filologjisë, Historisë dhe Kulturës; Konferenca e Shkencave Juridike, Ekonomike dhe Sociale; Konferenca e Shkencave të Bujqësisë; Konferenca e Shkencave të Natyrës dhe Mjedisit, si dhe Konferenca e Shkencave të Mjekësisë.

Temat e trajtuara ishin shumë specifike, ato sollën kërkime të detajuara nga sfera të ndryshme, disa nga to prezantuan raste nga Shqipëria ndërsa një pjesë e tyre ishin të përqëndruara në ndryshimet që po përjeton sot bota shkencore.

 

Në fund të prezantimeve në secilën nga konferencat, pjesëmarrësit morën certifikata.

Ky takim për herë të parë këtë vit është organizuar nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës në bashkëpunim me Institutin Alb Shkenca dhe mbështetjen e veçantë të Ministrit të Shtetit për Diasporën.

 

Programi ishte i ndarë në panele që u zhvilluan në ditën e parë dhe konferencat në ditën e dytë, të cilat u ndanë në bazë të fushës së studimit të kërkuesve shkencor shqiptarë.

 

Aktiviteti kishte si qëllim nxitjen e komunikimit mes elitës shqiptare, sjelljen e përvojës së studiuesve në Diasporë në vend dhe lidhjen me studiuesit shqiptar, për të përmirësuar situatën e kërkimit shkencor në Shqipëri, por edhe për të qenë një organizim i rëndësishëm për të sjell zhvillimin në vend.