Ministri i Shtetit për Diasporën z.Pandeli Majko prezantoi sot në komisionin ”Komisioni për Politikën e Jashtme” projektligjin “Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr.139/2015,” për qeverisjen vendore.
Hartimi i këtij projektligjit është një hap i rëndësishëm në procesin e implementimit të reformës ligjore dhe institucionale për ndërtimin e marrëdhënieve të natyrshme të atdheut me shtetasit e vet, nëpërmjet dhënies së shërbimeve për Diasporën dhe migracionin. “Procesi i krijimit të infrastrukturës vendore për realizimin e përgjegjësive konkrete dhe përcaktimin e strukturave shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me Diasporën, është instrumenti kyç në realizimin e angazhimit politik për të mbështetur e përkrahur komunitetin shqiptar jashtë vendit”, – tha ministri në fjalën e tij.
Ndryshimet në këtë projektligj vijnë si rezultat i kërkesave imediate për implementimin e plotë të dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve, qasjen drejt një ndërgjegjeje evropiane në drejtim të afirmimit të padiskutueshëm të rëndësisë që ka Diaspora në ndërtimin e urave lidhëse me vendin e origjinës, ndërgjegjësimin për influencën pozitive që ka Diaspora në zhvillimin ekonomik, politik e kulturor të vendit të origjinës.
Pas diskutimeve ky projektligj u miratua në parim nga anëtarët e komisionit.
Në link-un e mëposhtëm mund ta lexoni të plotë:
PROJEKTLIGJ PËR “DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.139/2015, “PËR VETËQEVERISJEN VENDORE”