Postuar më: 18/02/2021

Nisma “Dhuro Libra”, nis procesi i shpërndarjes në Greqi dhe Itali

Është nisur sot drejt Greqisë kontigjenti i parë i librave të dhuruara kuadër të nismës “Dhuro Libra” për shtetasit shqiptarëve që vuajnë dënimin në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Greqi. Ditën e nesërme do të nisen kontingjenti i përcaktuar për institucionet Itali. Janë rreth 10 mijë libra të cilët janë dhuruar nga shtëpi të ndryshme botuese në vend, individë dhe institucione të ndryshme të cilat pritet të shpërndahen në burgje më datë 21 shkurt, ditën e Ndërkombëtare të Gjuhës amtare.

Të pranishëm gjatë momentit të nisjes së librave ishin ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko dhe ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj.

Në fjalën e tij ministri Majko tha: “Sot është një ditë e veçantë për një arsye shumë të thjeshtë dhe njerëzore. Është pikërisht kjo iniciativë që së bashku me Ministrinë e Drejtësisë dhe në mbikëqyrje të dy agjencive të Diasporës, Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Qendrës së Botimeve të Diasporës ku ndodhemi sot do të bëjmë nisjen e pjesës së parë të librave në drejtim të burgjeve të Greqisë sot dhe nesër në drejtim të Italisë. Janë mbi 10 mijë libra të cilat janë një dhuratë për të cilët i jemi mirënjohës të gjithë donatorëve, në veçanti shtëpisë botuese “Toena” që është donatorja kryesore.

Të gjitha këto libra do shkojnë në duart e njerëzve që pa diskutim janë në një pozitë të vështirë dhe ndodhen në kushtet e mungesës së lirisë. Diaspora nuk përbëhet vetëm nga njerëz të cilëve u ka trokitur suksesi, përbëhet dhe nga njerëz që për arsye të ndryshme kanë gabuar dhe janë në kushtet e mungesës së lirisë, po ata mbeten pjesë e familjes së madhe të shqiptarëve pavarësisht se në cilin vend të botës ndodhen. Kjo është arsyeja që kjo iniciativë humanitare i jep kësaj dite një veçanti të vlerësuar. Besoj dhe prania e ministres së Drejtësisë të cilën dëshiroj ta falenderoj për bashkëpunimin dhe koordinimin është një gjest me vlerë në vazhdim, nuk besoj se ka për të qenë iniciativa e parë pasi kujdesi karshi njerëzve që janë në kushtet e humbjes së lirisë jashtë vendit është një numër goxha i madh. Sipas informacioneve paraprake është më i madh se sa i burgosurve brenda vendit. Ju faleminderit për prezencën sot, po në mënyrë të veçantë përfaqësues së shtëpisë botuese “Toena”.

Ngarkesa e librave në bashkëpunim me ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme e cila së bashku me Postën Shqiptarë nëpërmjet cargos diplomatike do të bëjnë të mundur mbërritjen e librave brenda datës 21 shkurt. Librat do të shkojnë në 6 pika, ambasadën dhe dy konsullata në Itali dhe ambasadën e dy konsullata në Greqi.