Postuar më: 16/05/2019

Miratohet financimi i projektit “Diaspora shkencore si një faktor ndryshimi në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”

Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën për financimin e projektit “Diaspora shkencore si një faktor ndryshimi në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë” dhe zbatimin e tij nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.

Bazuar në nenin 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës” Këshilli i ministrave vendosi financimin e projektit për 30 (tridhjetë) muaj, me buxhet prej 40, 984,477 (dyzet milion e nëntëqind e tetëdhjetë e katërmijë e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekë.

Ky fond do të përdoret për realizimin e aktiviteteve si: organizimin e konferencave / forumeve vjetore të Diasporës, mbështetje për organizimin e forumeve të Grave të Diasporës shkencore, shkëmbimin shkencor nëpërmjet transferimit të dijeve,  publikimin e Punimeve të Diasporës Shkencore, si dhe informimin nëpërmjet kanaleve të komunikimit.

Projekti “Diaspora shkencore si një faktor ndryshimi në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë” dhe Zbatimin e tij nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës” lindi si rezultat i Samitit të Dytë të Diasporës, qëllim i tij është angazhimi i Diasporës shkencore shqiptare dhe profesionistëve të kualifikuar, përmes zbatimit të strategjive kombëtare, me qëllim gjenerimin e transformimeve ekonomike dhe sociale në Shqipëri.

 

Vendimin e plotë mund ta lexoni në link-un e mëposhtëm:

PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “DIASPORA SHKENCORE SI NJË FAKTOR NDRYSHIMI NË PROCESIN E INTEGRIMIT EVROPIAN TË SHQIPËRISË” DHE ZBATIMIN E TIJ NGA FONDI SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E DIASPORËS