Postuar më: 21/08/2019

Ministri takohet me studentët e projektit “Rrjetëzimi i Rinisë shqiptaro-gjermane përmes kulturave”

Sot, Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko u takua me një grup të rinjsh nga Gjermania, të cilët po vizitojnë Shqipërinë për t’u njohur më tepër me historinë dhe kulturën shqiptare në kuadër të projektit “Rrjetëzimi i Rinisë shqiptaro-gjermane përmes kulturave”.

Grupi, i përbërë nga të rinj shqiptarë dhe gjermanë u njoh nga afër me punën e Ministrit të Shtetit për Diasporën, politikat dhe projektet e realizuara dhe ato në zhvillim.

Gjatë bashkëbisedimit, ministri Majko u shpreh se “Çdo i ri në Diasporë duhet të njohë prejardhjen familjare, historinë e vendit të origjinës, në mënyrë që të ruhet identiteti kombëtar”.

Të rinjtë, të shoqëruar nga Konsullja e Nderit të Shqipërisë në Gjermani, znj. Anduena Stephan kanë vizituar disa nga qytetet e Shqipërisë, janë njohur me natyrën, kulturën, historinë dhe traditat shqiptare.

“Rrjetëzimi i Rinisë shqiptaro-gjermane përmes kulturave” është projekti, i cili u realizua në datat 11-22 gusht në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit të Landit të Veriut të Vestfalisë, shoqatën “IDEAL” dhe Konsullatën e Nderit të Shqipërisë në Gjermani.