Ministri i Shtetit për Diasporën u takua në Ankara me Zëvendëskryeministrin turk Hakan Cavuşoglu. Zyrtari i lartë turk i rezervoi një pritje të ngrohtë Ministrit Majko, duke i rikonfirmuar mbështetjen e forte të vendit të tij.
Dy zyrtarët e vunë theksin tek marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve dhe tek përkrahja e pamohueshme që u kanë dhënë njëri-tjetrit në momente të vështira. Z. Majko i përcolli Zëvendëskryeministrit falënderimet në emër të popullit shqiptar, për ndihmën që ofroi Turqia për banorët e zonave të përmbytura në Shkodër. Z. Cavuşoglu siguroi Ministrin se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdonte të ishte i forte në të gjitha fushat dhe theksoi gatishmërinë për të ndihmuar në implementimin e projekteve të ndryshme. Ndërsa vlerësoi përpjekjet e autoriteteve turke në kuadër të ruajtjes së identitetit dhe kulturës shqiptare tek diaspora jonë atje, Ministri Majko kërkoi bashkëpunimin e tyre në ngritjen e një qendre botimi për librat shqip. Zëvendëskryeministri u shpreh i gatshëm të ndihmojë për realizimin e këtij projekti.