Postuar më: 30/07/2021

Ministri Majko takohet me përfaqësues të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve

Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), Dr. Vaxhid Sejdiun (kryetar), Mustafë Krasniqin (nënkryetar), Teuta Tabakun (sekretare) dhe Miradije Berishaj e Dritan Mashin (anëtarë). Në fjalën e tij hyrëse z. Majko i njohu  anëtarët e Këshillit me përpjekjet e qeverisë shqiptare konkretisht të institucionit që ai drejton për të qenë sa më afër kërkesave dhe nevojave jo vetëm të shkollave shqipe në Diasporë. Ai foli në përgjithësi për ngritjen e një strukture, e cila mori për sipër përgjegjësinë për bashkërenditjen e problemeve, kërkesave dhe nevojave, të cilat janë urgjente, për një organizim sa më mirë të Diasporës shqiptare.

Ai u ndal te krijimi Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), si një strukturë e cila jo vetë përfaqëson një pjesë të madhe të shteteve ku ka komunitet shqiptar aktiv, por ata me punën e tyre janë dëshmuar si shembull në organizimin e shkollave shqipe ku veprojnë dhe punojnë. U tha qartë se ndër hapat e dukshëm janë përpjekjet për sigurimin e teksteve shkollore me kohë për shkollat shqipe kudo në diasporë, botimi i revistës “Letra nga Diaspora”, takimet, konsultimet dhe përpjekjet e përbashkëta me institucionet e Kosovës në shërbim të mërgatës, përpjekjet për botimin e teksteve të reja shkollore, ku u vlerësua lart puna e Komisionit të për përbashkët.