Postuar më: 18/11/2018

Ministri i Shtetit për Diasporën prezanton Strategjinë e Diasporës në Itali

Ministri i Shtetit për Diasporën, z.Pandeli Majko mori pjesë në konferencën e organizuar në Milano nga Dhoma Shqiptare e Tregtisë në Itali me temën, “Të investosh në Itali dhe në Shqipëri, modele mundësish dhe biznesesh”.

Gjatë kësaj konference, ku morën pjesë përfaqësues të rëndësishëm të sferës së biznesit në Shqipëri dhe Itali, u diskutua për potencialet e investimeve të dy vendeve dhe format e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë dhe biznesit.

Ministri i Shtetit për Diasporën në fjalën e tij përshëndetëse bëri një prezantim të shkurtër të punës së kryer me Strategjinë e Diasporës. Çfarë synohet të arrihet dhe se sa i rëndësishëm është proçesi i bashkëpunimit në realizimin e qëllimeve të kësaj strategjie. Gjithashtu Ministri prezantoi edhe drejtuesit e dy strukturave kyçe në realizimin e Strategjisë për Diasporën, Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, z. Dritan Delija dhe Drejtoreshën e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, znj. Soana Jaupllari.

Ministri gjithashtu u ndal edhe te organizimi i ngjarjes më të rëndësishme të Vitit të Skënderbeut, Samitit të dytë të Diasporës, i cili pritet të mbledhë në Tiranë një përfaqësi të madhe të komunitetit shqiptar të shpërndarë në botë.