Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, udhëtoi të dielën në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku i shoqëruar nga Ministri për Diasporën në Kosovë, z. Dardan Gashi, zhvilloi një takim me drejtorët dhe mësuesit e shkollave shqipe. Në takimin e zhvilluar në Konsullatën e Republikës së Kosovës ishin të pranishme edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Okb, znj. Besiana Kadare dhe Konsullja e Përgjithëshme e Kosovës në New York, znj. Teuta Sahatqija.
Drejtorët dhe mësuesit e shkollave të gjuhës shqipe shprehën kënaqësinë për takimin me dy Ministrat, duke i njohur ata me kushtet dhe problematikat kryesore me të cilat përballen. Një prej shqetësimeve kryesore të tyre ishte sigurimi i librave të gjuhës shqipe dhe të dy Ministrat u shprehën të gatshëm për të ndihmuar. Mësuesit sugjeruan të ofrojnë mbështetjen në hartimin e një teksti për mësimin e gjuhës shqipe, si dhe përmirësimin e kurikulave për t’ju përshtatur më mirë fëmijëve të diasporës.
Ministri Majko deklaroi se arsimi është një prej prioriteteve kryesore të tij, duke informuar të pranishmit mbi marrëveshjen e arritur mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës lidhur me krijmin e qendrave të përbashkëta kulturore, të cilat kanë për qëllim eksportimin e kulturës dhe ruajtjen e forcimin e lidhjeve të diasporës me vendlindjen. Në këtë aspekt u diskutua mbi aktivitete të ndryshme arsimore në New York, të tilla si Festivali i Shkollave Shqipe. Ky aktivitet, që zhvillohet në muajin maj, u vlerësua si moment i favorshëm për organizimin e një takimi me përfaqësues të lartë të arsimit nga Shqipëria dhe Kosova, ku do të diskutohet më gjerësisht mbi shqetësimet kryesore e mbi mënyrat për t’i dhënë zgjidhje atyre. Z. Majko propozoi ngritjen e një Këshilli Koordinativ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ndalur gjithashtu tek çështja e certifikimit të mësuesëve të gjuhës shqipe. Ndërsa i përgëzoi për punën e deritanishme, Ministri i Shtetit për Diasporën kërkoi angazhim të përbashkët për përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në klasat e gjuhës shqipe.