Postuar më: 01/08/2018

Mësimi plotësues në diasporë; Ministri Majko-Për herë të parë, përpjekje të koordinuara

1

Arsimi shqip jashtë vendit ishte çështja që mblodhi në të njëjtën sallë dhjetëra mësues të diasporës, Ministrat e Arsimit dhe Diasporës së Shqipërisë e Kosovës e Kryebashkiakun e Tiranës.
Në fjalën e tij, në hapje të seminarit të XIV mbarëkombëtar “Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë”, Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko, shprehu mirënjohjen për punën e paçmuar të mësuesëve shqiptarë jashtë vendit dhe tha se për herë të parë dy qeveri kishin koordinuar përpjekjet për të adresuar sfidën e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit tek brezat e rinj në diasporë.  Z. Majko përmendi ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin për arsimin parauniversitar, të cilat mundësojnë për herë të parë regjistrimin dhe certifikimin e mësuesëve të diasporës.

2

“Falë angazhimit të Ministrive të Shqipërisë dhe Kosovës, ne kemi arritur të mbushim disa boshllëqe. Përfundimisht, shteti shqiptar do të ketë një regjistër zyrtar të mësuesëve të vet, do të ketë një certifikatë e cila do të përfaqësojë kurikulën e përbashkët, të miratuar nga institucionet përgjegjëse të dy shteteve.”, u shpreh z. Majko.
Ministri e vuri theksin tek nevoja e botimit të librave online, si një mënyrë për të lehtësuar qasjen ndaj gjuhës shqipe tek vendet e largëta.  Ai shtoi se arsimi do të jetë nje prej çështjeve kryesore që do të diskutohet gjatë samitit të dytë për diasporën në muajin nëntor.

3

Ndërkaq, Ministrja e Arsimit znj. Lindita Nikolla, u ndal tek rëndësia e finalizimit të një kurrikule të përbashkët të mësimit në diasporë, së bashku me Kosovën.
Homologu i saj nga Kosova z. Shyqyri Bytyqi deklaroi se tashmë ekzistonin mundësitë për të ndihmuar në zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporë.
I ftuar në aktivitet ishte edhe Kryetari i Bashkisë z. Erjon Veliaj, i cili pasi i uroi mirëseardhjen në Tiranë mësuesëve të diasporës,  i falënderoi ata për kontributin e madh që po jepnin si misionarë të gjuhës shqipe.
Seminari “Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë” do të vazhdojë deri në datën 4 gusht.

4