Libri tashmë ka një institucion zyrtar i cili do të nxisë dhe promovojë librin, autorët dhe përkthyesit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Në mbledhjen e radhës, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit”.
Kjo Qendër ka për qëllim hartimin e programeve dhe financimin e projekteve në fushën e librit brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Synimi kryesor do të jetë promovimi i librit shqip në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët, duke bërë të mundur përcjelljen e gjuhës shqipe në çdo komunitet.
Në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën, kjo qendër do të bashkërendojnë punën për rritjen e lexueshmërisë tek brezi i ri dhe familjet e Diasporës.
Gjithashtu kjo qendër do të mbështesë botimet e librave dhe të revistave në fushën e letërsisë e të shkencave shoqërore, një tjetër fushë bashkëpunimi me Qendrën e Botimeve për Diasporën. Ndërsa një pjesë e botimeve do të jenë në format të dedikuar për të bërë të mundur leximin nga persona me aftësi ndryshe.
Kjo qendër ndër të tjera do të krijoje kushtet nxitëse për krijuesit në fushën e letërsisë, duke siguruar mbështetje financiare dhe organizon konkurse për dhënien e çmimeve kombëtare letrare për autorët dhe përkthyesit shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Vendimin e plotë mund ta lexoni këtu:
VENDIM PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QENDRËS KOMBËTARE TË LIBRIT DHE LEXIMIT