Postuar më: 19/12/2018

Konferenca për 18 dhjetorin, “Ditën kombëtare të Diasporës”

18 dhjetori në Shqipëri është dita kombëtare e Diasporës, në kuadër të kësaj dite ministri i Shtetit për Diasporën z.Pandeli Majko organizoi një konferencë ku u bë përmbledhja e një viti pune intensive në lidhje me Diasporën Shqiptare
Në fjalën e tij z.Majko tha se shteti shqiptar po mbush boshllëkun e plotë në informacion dhe në strategjinë e Diasporës.

 

“Kur fillova punën, si ministri i parë në historinë shtetërore të Shqipërisë për diasporën kisha të qartë vetëm paqartësinë. Në takimin më drejtuesen e institutit të Statistikave, përgjigja e kërkesës time për shifrat e migrimit ishte e thatë “Nuk kemi!”…. Një vit më parë, Shqipëria nuk kishte legjislacion apo strategji për shtetasit apo bashkëkombasit e saj jashtë vendit. Dokumentet e para në qeverinë shqiptare kaluan me shpejtësinë e vetëdijes për kohën e humbur”, – tha ministri. Ndërsa sot kemi një raport të plotë vjetor të sapo botuar nga INSTAT dhe një kornizë ligjore po aq të plotë.

I pranishëm në eventin “Dita kombëtare e Diasporës” ishte edhe ambasadori italian në Shqipëri z.Alberto Cutillo, i cili ritheksoi edhe një herë marrëdhënien e ngushtë që ekziston midis dy vendeve dhe sa i rëndësishëm është bashkëpunimi midis dy shteteve.
Ndërsa zv.ministrja e Brendshme znj.Rovena Voda tha se ministria e Brendshme është e angazhuar plotësisht në zbatimin e të gjitha masave që duhen për të realizuar Strategjinë Kombëtare për Diasporën.

Gjatë këtij takimi eksperti irlandez i emigracionit Martin Russell bëri një përmbledhje të çështjeve më të rëndësishme që lidhen me Diasporën.

Manoela Lussi menaxhere e programit të angazhimit të Diasporës, IOM u ndal të bashkëpunimi me komunitete të ndryshme në Diasporë. Në këtë konferencë paraqitën vlerësimet e tyre dhe drejtuesja e programit Germin, znj.Liza Gashi si dhe konsulenti i IOM për emigracionin, Elvin Gjevori.