Postuar më: 17/09/2019

“Jam Shqiptar” projekti që do t’u mundësojë fëmijëve shqiptarë në Diasporë të njohin Shqipërinë

 

Tashmë çdo fëmijë shqiptar që jeton në Diasporë do të ketë mundësinë ta njohë më mirë Shqipërinë falë projektit “Jam Shqiptar”. Një nismë kjo e Ministrit të Shtetit për Diasporën që do të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrinë e Kulturës bazuar në memorandumin e bashkëpunimit të firmosur mes katër institucioneve.

“Jam shqiptar” do t’u mundësojë fëmijëve shqiptarë një program të plotë aktivitetesh për të vizituar më shumë Shqipërinë, me qëllim jo vetëm njohjen e vendit të tyre, por edhe krijimin e lidhjeve mes njëri-tjetrit nën emëruesin e përbashkët “Jam shqiptar”.

Ky program ka si qëllim organizimin e veprimtarive kulturore, gjuhësore e turistike, njohjen e historisë së Shqipërisë dhe të vendeve të saj turistike për formimin kulturor e gjuhësor të brezave të rinj në Diasporën shqiptare.

Projekti do të ndiqet nga koordinatorja shtetërore zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Lorena Haxhiu si dhe do të mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës.

Gjatë 15 javëve të këtij projekti do të zhvillohen aktivitete për kulturën, historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë; ushtrime, seminare, lojëra ndërvepruese; ekskursione ilustruese në parqe arkeologjike, muze kombëtare, monumente të kulturës dhe zona turistike; aktivitete që kanë për qëllim vizitat turistike, promovimin e turizmit si dhe të natyrës e mjedisit të Shqipërisë dhe aktivitete të tjera kulturore.

Në fund të këtij projekti nxënësit do të pajisen me certifikatë pjesëmarrjeje.

Urdhrin për koordinatorin shtetëror të programit mund ta lexoni këtu:

URDHËR Nr.112 PËR CAKTIMIN E KOORDINATORIT SHTETËROR PËR REALIZIMIN E PROGRAMIT “JAM  SHQIPTAR” TË GJUHËS DHE KULTURËS SHQIPE, datë 30.8.2019