Postuar më: 26/11/2018

Dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës firmosin marrëveshjen e bashkëpunimit për Diasporën

Iniciativa e Ministrit të Shtetit për Diasporën z.Pandeli Majko për një marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës për Diasporën është firmosur paraditen e sotme nga Kryeministrat e dy vendeve z.Edi Rama dhe z.Ramush Haradianaj në një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të bashkëpunojnë në kuadrin e funksioneve, qëllimeve dhe juridiksioneve të tyre.

Kjo marrëveshje ka si qëllim bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe informimin e Diasporës e cila do të arrihet nëpërmjet ngritjes së disa strukturave të veçanta si: Këshilli i Bashkëpunimit të Diasporës Shqiptare, i cili do të kontribuojë në realizimin e organizimit më të mirë të komuniteteve shqiptare në vendet pritëse dhe Dhoma (Oda) e biznesit të Diasporës në Tiranë dhe Prishtinë e cila do të shërbejë për të respektuar rregullat e funksionimit të të njëjtit rrjet biznesi në Diasporë.

Gjithashtu institucionet shqiptare dhe ato të Kosovës do të angazhohen nëpërmjet televizioneve publike respektive, Radio-Televizioni i Shqipërisë RTSH dhe Radio-Televizioni i Kosovës, që të realizohet një kanal i përbashkët televiziv kushtuar interesave të komuniteteve shqiptare në Diasporë i cili duhet të fillojë transmetimet vitit 2019.
Një tjetër pikë e rëndësishme e marrëveshjes është mbështetja e iniciativës për krijimin në Tiranë dhe Prishtinë të Bankës së Diasporës nga rrjetet e biznesit të komuniteteve shqiptare të Diasporës shqiptare.

Në link-un e mëposhtëm mund të lexoni të plotë marrëveshjen:

MARRËVESHJE NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS PËR BASHKËPUNIMIN, NXITJEN E BIZNESIT DHE INFORMIMIN E DIASPORËS