Postuar më: 28/01/2021

Agjencia Kombëtare e Diasporës një album fotografik për 85 vjetorin e shkrimtarit Ismail Kadare

Me rastin e 85 vjetorit të ditëlindjes së shkrimtarit të madh të kombit, Ismail Kadare, Agjencia Kombëtare e Diasporës me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko ka realizuar albumin fotografik “Kadare dhe Gjirokastra”.

Albumi i realizuar nga fotografi Roland Tasho është një udhëtim nëpërmjet imazheve fotografike në qytetin e lindjes së autorit, në Gjirokastrën e tij të dashur, ku shihet të ecë në rrugicat me kalldrëm, të takojë njerëz që i njeh e jo, të vizitojë vende që e frymëzuan të krijojë disa nga kryeveprat e tij.

“Për albume si ky, mburrja e protagonistit është një mëkat i preferuar. Në historinë e shqiptarëve tregimi i së vërtetës nuk është gjithmonë gjëja më e mirë. Kur flitet për Ismail Kadarenë e vërteta është bijë e kohës. Si e tillë ajo veç mund të tregohet. Ismail Kadare është përfaqësuesi më cilësor i evolucionit të mendimit modern të gjuhës shqipe. Ai për historinë e shqiptarëve është si Eskili për grekët, Shekspiri për britanikët, Hygoi për Francën apo Remarku për amerikanët”, shkruan ministri i Shtetit për Diasporën. Z Pandeli Majko.

Për realizmin e fotografive në qytetin e gurtë fotografi Roland Tasho tregon se gjatë vizitës së Kadaresë në vitin 2000 ka realizuar shumë foto, por në këtë album ka zgjedhur vetëm foto nga vizita e tij në Gjirokastër, për të krijuar një udhëtim të shkrimtarin në vendlindjen e tij.

“Realizova mjaft fotografi dhe që në vitin 2000 i ruajta dhe nuk i kisha botuar në asnjë gazetë, apo revistë fotot, megjithëse kisha kërkesa të shumta. Për të fotografuar Kadarenë në Gjirokastër u përgatita dhe u furnizova me filma bardh e zi. (nuk kishte foto me digjital në vitet 2000). Në albumin e sapo përfunduar zgjodha foto nga Gjirokastra që t’i përshtateshin tregimeve të tij për qytetin. Qëndroja gjatë në Gjirokastër dhe çohesha herët në mëngjes, sepse më interesonte shumë të kishte mjegull, shi dhe shfrytëzoja kohën gri pa diell. Një udhëtim tjetër Kadareja ka bërë dhe me rastin e përurimit të restaurimit të shtëpisë së tij në vitin 2016. Me këtë rast të organizuar nga “Akademia e Shkencave” erdhën dhe përkthyesit kryesorë nga e gjithë bota. Dhe kjo vizitë e tij është pasqyruar në libër.”

Albumi së shpejti do të jetë i pranishëm në institucionet kulturore.