Postuar më: 02/11/2018

Vizita e Ministrit në Irlandë, mundësi bashkëpunimi për organizimin e Samitit të Diasporës

Në ditën e tretë të vizitës në Irlandë, Ministri i Shtetit për Diasporën z.Pandeli Majko zhvilloi takime me disa nga përfaqësuesit më të lartë irlandez të angazhuar në projektet e Diasporës.

Një nga takimet më të rëndësishme të ditës së sotme ishte me përfaqësues të “Investment Development Agency”, një nga institucionet më të rëndësishme të cilat punojnë me Diasporën.
James Farrell, kreu i Politikave të Strategjisë e ka njohur Ministrin me planet konkrete që ky institucion ka përdorur për të bashkuar Diasporën irlandeze.

Gjithashtu Ministri është njohur edhe me nismën “TheGatheringIreland”, një projekt i rëndësishëm i cili tërhoqi në Irlandë një pjesë të madhe të Diasporës në një samit të përmasave të mëdha ku u arrit të sigurohej një investim i rëndësishëm i Diasporës. Ky është një nga modelet më të suksesshme në botë i cili mund të aplikohet edhe në organizimin e Samitit të Diasporës Shqiptare po me të njëjtin efikasitet.

Gjatë pasdites Ministri është takuar edhe me Dr.Martin Russell një prej drejtuesve të organizatës “Diaspora Matters” dhe profesorë dhe studiues të çështjeve të migracionit. Palët kanë shkëmbyer përvojat e tyre në këtë fushë si dhe kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë për organizmin e Samitit të Diasporës.

Në kuadër të kësaj vizite Ministri është njohur edhe me historinë e Diasporës irlandeze nëpërmjet një vizite në “EPIC”, Muzeun Irlandez të Emigrimit.