Postuar më: 03/09/2020

Viti akademik 2020-2021 / Qeveria miraton për herë të parë 9 bursa për studentët me origjinë shqiptare

Këshilli i Ministrave ka vendosur në mbledhjen e radhës akordimin e 9 bursave të studimit për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare, për të studiuar në Republikën e Shqipërisë, propozim i paraqitur nga Ministri i Shtetit për Diasporën.

Sipas vendimit nëntë bursat për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare për vitin akademik 2020-2021 përfshijnë mbulimin financiar për tarifën e studimeve, si dhe shpenzimet e akomodimit e të ushqimit për kohëzgjatjen e vitit akademik të cilat do të përballohen nga buxheti i Agjencisë Kombëtare për Diasporën.

Me qëllim mësimin dhe thellimin e njohurive të gjuhës së origjinës do të përfitojnë tre bursa studentët e huaj me origjinë shqiptare nga Ukraina, dy bursa studimi shtetasit e huaj me origjinë shqiptare të komunitetit Arbëresh në Itali, dy bursa studimi shtetasit e huaj me origjinë shqiptare në Kroaci dhe dy bursa studimi shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga Bullgaria.

Propozimet për kandidatët për përfitimin e bursës do të vijnë nga misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë të akredituara në këto vende, të cilat janë përgjegjëse për dërgimin e dokumentacionit të kërkuar për kandidatët përfitues të bursës.

Dokumentacioni që do të paraqitet nga aplikantët duhet të jetë i legalizuar në përputhje me legjislacionin që rregullon njohjen dhe përdorimin e dokumenteve zyrtare të lëshuara jashtë vendit.

Agjencia Kombëtare e Diasporës do të kryejë pagesat e mësuesve të nevojshëm për mësimin e gjuhës shqipe në vitin e parë të studimeve për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë për vitin akademik 2020-2021.

Financimi i bursave në zbatim të këtij vendimi, për vitin akademik 2020-2021 ka një vlerë prej 71 520 (shtatëdhjetë e një mijë e pesëqind e njëzet) eurosh, i cili do të përballohet nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Diasporës.

Vendimin e plotë mund ta lexoni këtu:

KRITERET E DHËNIES SË BURSAVE PËR SHTETASIT E HUAJ ME ORIGJINË SHQIPTARE, PËR TË STUDIUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, NGA AGJENCIA KOMBËTARE E DIASPORËS PËR VITIN AKADEMIK 2020-2021