Postuar më: 22/05/2019

Takimi i parë i Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Kosovë për miratimin e teksteve mësimore për Diasporën

Ministri i Shtetit për Diasporën mori pjesë sot në mbledhjen e parë të Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Kosovë për miratimin e teksteve mësimore për Diasporën, i cili është ngritur në zbatim të marrëveshjes midis dy shteteve “Për organizmin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë dhe mërgatë”.

Në fjalën e tij ministri i Shtetit për Diasporën u shpreh se çështja e arsimit në Diasporë është një sfidë më vete, por hartimi i këtij komisioni dhe bashkëpunimi mes dy palëve do ta kalojë këtë sfidë duke arritur në një rezultat në ndihmesë të mësimit të gjuhës dhe kulturës shqipe në Diasporë.

Qendra e Botimeve për Diasporën ka për qëllim koordinimin e punës së këtij komisioni si dhe të fokusohet në mbështetjen me botime plotësuese  për komunitetin shqiptar në Diasporë.

Gjatë kësaj mbledhjeje u zgjodh kryetari i komisionit z. Nuhi Gashi, përfaqësues për mësimin plotësues në Diasporë pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës si dhe u vendos për hartimin e një rregulloreje të përbashkët midis dy vendeve, me qëllim miratimin e teksteve të përbashkëta për Diasporën shqiptare.

Pjesë e këtij komisioni janë përfaqësues nga  Ministria e  Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë  si dhe nga Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë së Kosovës.​