Postuar më: 24/10/2018

Takimi i dytë i Komitetit Shtetëror për Diasporën

Sot në ambientet e Kryeministrisë u mbajt takimi i dytë i Komitetit Shtetëror për Diasporën. Misioni i Komitetit të drejtuar nga Kryeministri i cili ka në përbërje ministrat kryesorë, është përgatitja e linjave orientuese për politikat e reja në fushën e Diasporës, propozimi i mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve jashtë vendit, si dhe nxitjen e dialogut dhe koordinimit për zbatimin e strategjisë.
Në mbledhjen e dytë të Komitetit ishte i pranishëm Kryeministri Z.Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të Komitetit, Ministrja e Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro, Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjoni, Ministrja e Arsimit, Sportit, dhe Rinisë, Znj. Lindita Nikolla, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z.Genti Sejko etj.
Përpara anëtarëve të Komitetit, Z.Majko prezantoi programin e samitit të dytë të Diasporës që do të zhvillohet në datat 28 shkurt – 2 mars, ecurinë e ndërtimit të strukturës shtetërore përfshirë Buletinin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën, kandidaturat e Këshillit Koordinues të Diasporës dhe buxhetin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën.