Postuar më: 08/07/2020

Shqyrtohet projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 16/2018 “Për diasporën” në Komisionin për Politikën e Jashtme

Sot, Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 16/2018 “Për diasporën”, i cili vjen si propozim i një deputeti në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. I ftuar për këtë projektligj ishte ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 16/2018 “Për diasporën” ka për qëllim përditësimin e tij me zhvillimet e fundit të strukturave shtetërore të ngritura për diasporën shqiptare.

Më specifikisht, në këtë projektligj është parashikuar të shtohet Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët si edhe të jepet përkufizimi ligjor i funksionimit të Komitetit Shtetëror për Diasporën. Gjatë diskutimit, ministri Majko propozoi edhe disa shtesa për ta bërë Ligjin e Diasporës edhe më të plotë. Propozimet e tij ishin mbi nenin 5 dhe nenin 9 të këtij ligji.

Lidhur me nenin 5, z. Majko propozoi që të autorizohet ministri përgjegjës për Diasporën për t’i propozuar Këshillit të Ministrave dhënien e bursave shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, e cila parashikohet në Vendimin Nr. 504, datë 24.6.2020 “Për krijimin e bazës të të dhënave shtetërore të studentëve të cilët studiojnë jashtë vendit, dhe shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa nga Republika e Shqipërisë”.

Gjithashtu, ministri Majko propozoi një ndryshim në nenin 9, shkronja d, ku të parashikohet autorizimi i Këshillit të Ministrave për dhënien e çmimeve kombëtare për kontribut të veçantë në ruajtjen, forcimin e lidhjeve ndërmjet vendit të origjinës dhe Diasporës. Komisioni i Jashtëm miratoi në parim projektligjin si edhe propozimet.