Postuar më: 24/07/2020

Presidenti dekreton ligjin për Diasporën

Presidenti i Republikë së Shqipërisë, Ilir Meta ka dekretuar sot Ligjin për Diasporën, i cili kaloi në Parlament pak ditë më parë.

Ndryshimet në Ligjin për Diasporën u propozuan pas krijimit të dy strukturave të reja për Diasporën, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët dhe Komiteti Shtetëror për Diasporën.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për ka nisur funksionimin e saj në janar 2020 dhe ka si mision kryerjen e studimeve të specializuara për historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëreshe siç janë arbëreshët e Italisë dhe Arbanasit e Kroacisë. Këto komunitete të shqiptarëve të cilët për shkak të veçorive të tyre etnografike, gjuhësore dhe kulturore si dhe faktit që kanë mbijetuar mbi 5 shekuj duke ruajtur vlerat dhe traditat e tyre pa një kontakt të vazhdueshëm me vendin amë, meritojnë një vëmendje të veçantë për kryerjen e studimeve dhe publikimeve.

Ndërsa Komiteti Shtetëror për Diasporën është organ konsultativ i Këshillit të Ministrave për bashkërendimin e politikave e të veprimtarive shtetërore në fushën e Diasporës. Ai drejtohet nga Kryeministri dhe ka në përbërje 9 anëtarë, Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme; Ministrin e Brendshëm; Ministrin e Financave dhe Ekonomisë; Ministrin e Drejtësisë; Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; Ministrin e Kulturës; Ministrin e Mjedisit dhe Turizmit; Ministrin e Shtetit për Diasporën; Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë; Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Drejtorin e INSTAT-it.
Ligji i ndryshuar për Diasporën parashikon gjithashtu dhënien e bursave studentëve nga komunitetet shqiptare të Diasporës për të studiuar në universitetet e Republikës së Shqipërisë.

Me propozim të Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko ndryshimet në ligjin për Diasporën përfshijnë edhe dhënien e çmimeve kombëtare dhe medaljeve për kontribut të veçantë në ruajtjen, forcimin e lidhjeve ndërmjet vendit të origjinës dhe Diasporës, promovimin e Shqipërisë në botë dhe përkrahjen e interesave të saj.

Ligji u miratua në tërësi me 95 vota pro, 9 kundër dhe 5 abstenim, do të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare dhe nuk parashikon kosto shtesë në buxhetin e shtetit.

Ligjin e plotë mund ta lexoni këtu:

LIGJI Nr. 92/2020 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 16/2018 “PËR DIASPORËN”, datë  24.07.2020