Postuar më: 07/10/2020

Njësia e Diasporës në Bashki / Ministri Majko takim me institucionet përgjegjëse

Ministri i shtetit për Diasporën, Pandeli Majko realizoi sot një takim me Bekim Muratin, Drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, nënkryetarin e Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku dhe dy përfaqësuesit e GIZ-it, Jonny Bodo dhe Amir Haxhikadrija.

Në takim u bisedua mbi përfshirjen në gamën e funksioneve të bashkive, fusha e Diasporës dhe migracionit si dhe përditësimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 456, datë 10.06.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 910, datë 21.12.2016 të Këshillit të Ministrave, “Për çështjet objekt konsultimi dhe strukturën, procedurën, formën, mënyrën e organizimit e të funksionimit të Këshillit Konsultativ të qeverisjes qendrore me vetëqeverisjen vendore” të ndryshuar”, me përfaqësuesit qendrorë që duhet të marrin pjesë në Këshillin Konsultativ duke ruajtur parimin e barazisë së përfaqësimit midis të qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore.

Gjithashtu në qendër të takimit ishte dhe Memorandumi i Bashkëpunimit për bashkërendimin e punës për ngritjen e Strukturës Administrative për Diasporën dhe Migracionin në qeverisjen vendore ndërmjet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Shoqatës për Autonomi Vendore, ka si qëllim angazhimin në krijimin e strukturës administrative pranë bashkive, për Diasporën dhe migracionin sipas parashikimeve të bëra në ligjin nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Ligji parashikon se organizimi strukturës administrative për Diasporën dhe migracionin në njësitë e qeverisjes vendore do të kryhet sipas vlerësimit të numrit të banorëve të tyre si dhe kjo strukturës do të jetë në nivelin e drejtorisë, sektorit dhe zyrës. Memorandumi parashikon edhe përgjegjësitë e palëve sipas parashikimeve të bëra në nenin 3 të tij si dhe përgjegjësitë e strukturës për diasporën dhe migracionin në nenin 4 të tij.

Është parashikuar edhe krijimi i një sekretariati teknik i përbërë nga përfaqësuesit e palëve, detyra e të cilit konsiston për realizimin e komunikimit dhe koordinimit të veprimeve që duhet të ndërmerren rast pas rasti për realizimin e Memorandumit.