Postuar më: 10/12/2019

Miratohet vendimi për caktimin e oficerëve koordinues për çështjet e Diasporës në Konsullatat Shqiptare në Itali dhe Greqi

Me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën është miratuar caktimi i oficerëve koordinues pranë posteve konsullore të Republikës së Shqipërisë në Romë, Athinë, Milano dhe Selanik lidhur me çështjet e Diasporës shqiptare në fushën e kulturës, arsimit, financës dhe drejtësisë.

Oficerët koordinues për Diasporën do të kenë mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, Qendrën e Botimeve për Diasporën dhe Dhomën e Biznesit të Diasporës në adresimin e çështjeve të caktuara në fushat e veprimit.

Fushat e veprimit të oficerëve koordinues do të përfshijnë zhvillimin e marrëdhënieve me komunitetin shqiptar në vendet pritëse, identifikimin e nevojave për arsimimin dhe komunikimin me mësuesit e gjuhës dhe kulturës shqipe në këto komunitete, nxitjen dhe organizimin e bizneseve shqiptare në vendin pritës si dhe në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për Drejtësinë do të kenë përqëllim ndikimin në identifikimin dhe asistimin e shtetasve shqiptarë, të cilët vuajnë heqjen e lirisë jashtë shtetit.

Vendimin e plotë mund ta lexoni këtu:

VENDIM PËR CAKTIMIN E OFICERËVE KOORDINUES PËR ÇËSHTJET E DIASPORËS SHQIPTARE NË KONSULLATAT SHQIPTARE NË ITALI DHE GREQI