Postuar më: 21/05/2019

Miratohet personi përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që vuajnë heqjen e lirisë jashtë vendit

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë miratoi urdhrin për “Ngritjen e grupit të punës dhe caktimin e personit përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që vuajnë heqjen e lirisë jashtë vendit, të drejtave të emigrantëve nëpërmjet informimit mbi mundësitë e ndryshme për të apeluar ndaj shkeljeve të drejtave të tyre, në strukturat e vendeve pritëse si dhe në ato ndërkombëtare”.

Ky urdhër është lëshuar në mbështetje të pikës 3, të nenit 102, të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 12, të Ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”.

Sipas këtij urdhri, grupi i punës do të përbëhet nga Zv.ministri i Drejtësisë, znj. Fjoralba Cakaj, një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe nga Ministri i Shtetit për Diasporën.

Qëllimi i krijimit të këtij grupi pune është koordinimi i punëve ndërinstitucionale për mbledhjen e informacionit të plotë, për ndjekjen dhe trajtimin sipas legjislacionit në vendet pritëse të shtetasve shqiptarë, të cilët vuajnë heqjen e lirisë jashtë vendit.

Krijimi i grupit të punës është në përputhje me masat 24 dhe 44 të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën. Raportimi i punës së këtij grupi do të bëhet çdo tre muaj në mbledhjet e Komitetit Shtetëror të Diasporës.

Urdhrin e plotë mund ta lexoni këtu:

URDHËR Nr.92 PËR NGRITJEN E GRUPIT TË PUNËS  DHE CAKTIMIN E PERSONIT PËRGJEGJËS PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË SHQIPTARËVE QË VUAJNË HEQJEN E LIRISË JASHTË VENDIT, TË DREJTAVE TË MIGRANTËVE  NËPËRMJET INFORMIMIT MBI MUNDËSITË E NDRYSHME PËR TË APELUAR NDAJ SHKELJEVE TË TË DREJTAVE TË TYRE, NË STRUKTURAT E VENDEVE PRITËSE SI DHE NË ATO NDËRKOMBËTARE , datë 17.05.2019