Postuar më: 06/09/2019

Miratohet krijimi i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët

Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e Ministrit të Shtetit për Diasporën për krijimin e “Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët”.

Kjo qendër do të ketë si qëllim studimin e specializuar të historisë, letërsisë dhe kulturës së komunitetit arbëresh.

Pjesë e rëndësishme e funksionit të kësaj qendre do të jetë kryerja e studimeve për komunitetit arbëresh, promovimin, ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor tek ky komunitetit si dhe me organizimin e aktiviteteve, seminareve dhe konferencave shkencore të cilat do të kenë si fokus komunitetin arbëresh.

Gjithashtu botimi i studimeve të QSPA-së do të kryhet në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën.

Në kuadër të kësaj qendre do të funksionojë edhe Këshilli Koordinues, i përbërë me nëntë përfaqësues nga Akademia e Shkencave, Akademia e Studimeve Albanologjike,  Ministria përgjegjëse për Politikën e Jashtme, Ministria përgjegjëse për Kulturën, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës,  Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe katër përfaqësues të komunitetit Arbëresh një prej të cilëve nga komuna e Zarës në Kroaci.

Kjo qendër me seli në Tiranë do të nxisë bashkëpunimin mes studiuesve vendas dhe në Diasporë, me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e studimeve të lidhura me botën shqiptare.

Vendimin e plotë mund ta lexoni këtu:

VENDIM Nr.601, PËR KRIJIMIN E QENDRËS SË STUDIMEVE DHE PUBLIKIMEVE PËR ARBËRESHËT, datë 4.9.2019