Postuar më: 16/03/2019

Ministri në Senatin Italian, merr pjesë në konferencën “Pakica Arbëreshe, feja, kultura, tradita”   

Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko mori pjesë në konferencën “Pakica Arbëreshe, feja, kultura, tradita” që u zhvillua në Senatin italian në Romë. Në fjalën e tij ministri u ndal te historia e komunitetit arbëresh, pjesë e pandarë e kombit dhe mbi të gjitha pjesë thelbësore e historisë tonë.

Konferenca u  organizua në kuadër të “100 vjetorit të institutit të Eparkisë së Lungros”. Ky jubile i Eparkisë së Ungros është eventi më i rëndësishëm fetar për komunitetin arbëreshë. Eparkia e Ungros është krijuar më 13 shkurt të vitit 1919 nga Papa Benedikti i XV, dhe ruan e mbron gjuhën, zakonet e pasurinë fetare e kulturore të minoritetit arbëreshë në Itali. Bazuar në ritin greko-bizantin ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë shekullore të arbëreshëve të Italisë në kultivimin e gjuhës e ruajtjen e identitetit të tyre. Të gjitha ceremonitë e festat fetare kryhen në gjuhën shqipe e greke e rrallë herë në gjuhën italiane.