Postuar më: 06/07/2019

Ministri në “Forumin për Bashkë-Investime dhe Rrjetëzim”, në Prizren

Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko mori pjesë në ceremoninë e hapjes së “Forumit për Bashkë-Investime dhe Rrjetëzim”, i cili po mbahet në qytetin e Prizrenit.

Në fjalën e tij ministri tha se gjatë këtyre viteve, Qeveria Shqiptare dhe ajo e Kosovës kanë dhe po ndërmarrin iniciativa të rëndësishme drejt përmirësimit të mjedisit dhe klimës të biznesit në Shqipëri, duke forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional për tërheqjen e investimeve të huaja dhe nga Diaspora.

“Marrëveshja e lidhur në Pejë në 2018 ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe informimin e Diasporës është dëshmi e qartë e këtij vullnetit të dy qeverive, për të pasur një angazhim më të madh të Diasporës” , tha ministri.

Me tej minsitri tha se në këtë kuadër po ndërmerren hapa për krijimin e Dhomave të Biznesit të Diasporës, të cilat do të shërbejnë për asistimin, kanalizimin dhe realizimin e investimeve nga Diaspora drejt dy vendeve.

“Forumi për Bashkë-Investime dhe Rrjetëzim” i cili zhvillohet sot dhe nesër është një iniciativë e Bashkisë së Prizrenit dhe organizatës “Germin”.