Postuar më: 09/12/2019

Konferenca “Itali dhe Shqipëri, një portë e hapur në Ballkan”

Zhvilloi punimet sot konferenca “Itali dhe Shqipëri, një portë e hapur në Ballkan”.

Ky aktivitet, i cili nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave tërmetit në Shqipëri, ka për qëllim nxjerrjen në pah të marrëdhënieve të mira të miqësisë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona ndër vite, u organizua nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare në bashkëpunim me Universitetin e-Campus, Ambasadën Italiane në Shqipëri dhe me mbështetjen e veçantë të Ministrit të Shtetit për Diasporën.

 

Gjatë fjalës përshëndetëse, ministri Majko u ndal në historinë e hershme të marrëdhënieve dy palëshe. “Ura është simbolika më e gjetur mes dy vendeve dhe situata në të cilën kaloi vendi ynë kalohet pikërisht nëpërmjet urave të miqësisë siç është kjo mes dy vendeve tona. Sot ka studentë shqiptarë që studiojnë në Itali, biznese shqiptare që janë hapur në Itali dhe nga ana tjetër biznese italiane të hapura në Shqipëri dhe universitete italiane që vijnë në Shqipëri”, u shpreh ministri Majko.

Më tej, ai shtoi se sot janë mbi 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali.

Këtë konferencë, gjithashtu e përshëndetën edhe prof. Bruno Giardina, rektor i universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, prof. Lucia Cucciarelli, drejtuese e zyrës për bashkëpunimin shkollor në Ambasadën Italiane në Tiranë si dhe prof. Enzo Siviero, rektor i Universitetit eCampus.

Në konferencë u trajtua çështja e arsimit, si një “urë” e qëndrueshme bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë, e cila synon që studentët të marrin njohuritë e duhura për të përballuar kërkesat e larta të integrimit mes dy vendeve tona, por edhe më tej në Evropë.