Postuar më: 27/12/2018

Grupi ndërinstitucional i punës për zbatimin e masës 51 të planit të veprimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën në mbledhjen e radhës diskutoi për krijimin e një rubrike të dedikuar për Diasporën në faqet elektronike të secilës ministri

Grupi ndërinstitucional i punës për zbatimin e masës 51 të planit të veprimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën mbajti sot mbledhjen e radhës ku u diskutua mbi ecurinë e punës për vitin 2018.

Ministri i Shtetit për Diasporën z.Pandeli Majko theksoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve për ta sjellë Diasporën shqiptare sa më pranë, nëpërmjet aktiviteteve dhe shërbimeve që do të ofrojnë të gjitha ministritë të cilat bashkëpunojnë me komunitetin shqiptar në botë.

Në kuadër të Urdhrit nr.136 “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për zbatimin e masës 51 të planit të veprimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën” përfaqësuesit e ministrit për diasporën, ministrive të punëve të jashtme, financave, arsimit, kulturës, turizmit, punëve të brendshme, shëndetësisë, mbrojtjes  sociale, bujqësisë zhvillimin rural, për mbrojtjen e sipërmarrjes si dhe titullarët e Agjencisë Kombëtare për Diasporën, AKSHI-t anëtar, INSTAT-it dhe Akademisë së Shkencave koordinuan punën për zbatimin e masës 51 sipas të cilës ministritë që bashkëpunojnë me komunitetin shqiptar në botë do të ofrojnë në faqet e tyre elektronike informacion të plotë  në lidhje me shërbimet që ofrojnë për komunitetin shqiptar, ku secila faqe zyrtare do të ketë një rubrikë të përcaktuar dhe të dedikuar për Diasporën.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për kalendarin e aktiviteteve që do të realizohen në Diasporë përgjatë vitit 2019.