Postuar më: 22/02/2020

Fjala e ministrit Majko në Takimin e Shkrimtarëve të Diasporës “Letra nga Diaspora”

Të nderuar pjesëmarrës,

Ndjehem i nderuar që jam sot mes disa prej penave shqiptare, të shpërndara nëpër botë.

Kur flasim për letërsinë shqiptare në diasporë ndihemi krenar. Disa nga kryeveprat e letërsisë shqiptare i kemi pikërisht nga autorë të diasporës shqiptare.

Letërsinë shqiptare në migrim, duhet ta vendosim në kontekstin e zhvillimeve të diasporës shqiptare. Ajo ka qenë pamja e parë e ndryshimit vital të shqiptarëve jashtë vendlindjes.

Rilindja jonë kombëtare ka filluar me letërsinë e diasporës. Ajo ka filluar nga Frashërllinjtë në Turqi deri tek De Rada në Itali. Distanca dhe mungesa e atdheut prodhuan letërsi, art dhe identitet kombëtar.

Në Rumani Viktor Eftimiu ndonëse shkroi në rumanisht, veprat e tij i ndërtoi mbi bazën e motiveve shqiptare e të fëmijërisë së tij në vendlindje.

Në Gjermani, një nga penat e diasporës me peshë, Martin Camaj, la pas një vepër e cila hyn në fondin e letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Në Romë Ernest Koliqi në vitet ‘50 të shekullit të kaluar nisi të botojë revistën “Shejzat”. Për t’u ndjekur më pas nga revistat “Zgjimi”, “Katundi ynë”, “Zjarri”, “Zëri i Arbëreshëvet”, “Lidhja”, dhe “Bota shqiptare” të cilat ndikuan në formimin e një brezi krijuesish. Zef Skiro Di Maxhio poet, përkthyes dhe dramaturg mban një vend të veçantë si produkt i kësaj periudhe.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi veprimtarinë studimore e letrare Arshi Pipa poet, përkthyes dhe studiues.

Për brezin e ri të krijuesve shqiptarë në diasporë vlerësohet se është një letërsi e cila po zhvillohet në shumë vende të botës. Statistikat janë ende të paqarta.

Sipas bankës së të dhënave për shkrimtarët migrantë në Itali, BASILI, janë 27 shkrimtarë shqiptare të cilët jetojnë dhe krijojnë në Itali. Numër ky që e bën Shqipërinë vendin me përfaqësinë më të madhe të autorëve në letërsinë migrante në Itali.

Nga punimi shkencor i Leka Ndojës i vitit 2014 në periudhën 1944-1990 ishin rreth 40 shkrimtarë, publicistë dhe kritikë shqiptarë të cilët jetonin ose kishin lindur jashtë territorit të Shqipërisë.

Sipas autorëve, Besnik Camaj dhe Shefqet Dibrani janë 215 autorë dhe 27 grupe artistike shqiptare në Zvicër.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ekziston Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe sipas tyre vetëm në vitin 2019 kanë botuar 21 autorë.

Në Gjermani funksionon “Lidhja Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë” dhe në Austri është organizuar po ashtu “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë”.

Sipas të dhënave të përgjithshme, aktualisht janë mbi 100 shkrimtarë shqiptarë aktivë në të gjithë botën.

Të nderuar pjesëmarrës

Shkrimtarët janë prodhues të kohës. Por, ata mund të bëhen përcaktues në moralin kombëtar të këtij shekulli nga mënyra e të treguarit të ngjarjeve.

Tranzicioni shqiptar ndërtoi botën false sipas parimit “ose budalla ose maskara”. Arti mund ta zhvlerësojë atë.

Bertolt Brehti u largua nga Gjermania të nesërmen e djegies së Raihshtagut. Ai është shembull i ndjesisë së panatyrshme që ka arti me të keqen. Komenti i tij se “Askush nuk është më i çmendur se një komunist i çmendur” duket kaq “shqiptar”.

Penat e artit duhet të rishkruajnë historinë botës njerëzore shqiptare. Udhëtimi i saj kontravers midis botës së ndërgjegjes dhe asaj të privilegjit është një përjetim ende i pashkruar.

Të bashkosh shqiptarët në perceptimin e vetes është mision i vështirë, por jo i pamundur. Ismail Kadareja ynë e ka shkruar alfabetin e këtij qëllimi.

Sot është një ditë e veçantë për artin në Shqipëri. Takimi juaj në bashkëpunimin e Qendrës së Botimeve të Diasporës dhe Ministrisë së Kulturës është një akt i rëndësishëm. Dua të nënvizoj gatishmërinë dhe ndihmën që ky aktivitet të jetë i përvitshëm.

U takon edhe strukturave shtetërore shqiptare të përfshihen më shumë që ky aktivitet i shkrimtarëve shqiptarë të jetë koherent dhe në zhvillim.

Sartri në kohët gri të Parisit në vitin 1941, në numrin e parë të revistës “Kohët Moderne” botoi një kryeartikull ku midis të tjerash shkruante: “Shkrimtari ka një vend të vetin në epokën ku jeton. Çdo fjalë ka jehonë. Dhe kështu çdo heshtje…”

Është koha të flitet për letërsinë kombëtare shqiptare.

Ju jeni ambasadorët e kulturës dhe penës shqiptare. Ky nuk është emërim administrativ dhe as kompliment. Ai ka peshën e fjalës dhe të heshtjes.

Ju faleminderit!