Postuar më: 19/11/2020

“Diaspora Flet 2020″/ Ministri Majko: Diaspora po kthehet nga sasi në cilësi

Picture2

Këtë të enjte nisi punimet konferenca “Diaspora Flet 2020”, e cila për shkak të kushteve të pandemisë këtë vit mbahet online.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko mori pjesë në panelin e diskutimit mbi përfaqësimin politik të Diasporës në shtetin amë.

Gjatë fjalës së tij ministri Majko tha se sot Diaspora jo vetëm në Shqipëri po gjithë hapësirën shqiptare nga sasi po kthehet në cilësi duke u shprehur se ka nisur numërimi mbrapsht për realizimin e të drejtës së votës për shtetasit shqiptarë jashtë vendit.

“Tani po diskutohet nga pikëpamja e numërimit mbrapsht, realizimi i të drejtës së votës dhe për shtetasit tanë jashtë vendit dhe mendoj që koncepti i përfaqësimit politik do jetë i ndërlidhur, nuk do të jetë thjesht një reklamë apo thjesht për të thënë që kemi përfaqësues nga Diaspora në politikë, po kjo e lidhur dhe me një presion pozitiv që do të vijë nga drejtuesit jashtë vendit”, tha ministri Majko.

Konferenca “Diaspora Flet 2020” do të zgjasë tri ditë, 19-21 nëntor dhe synon të lidhë profesionistë të industrisë, biznese, komunitete, aktivistë dhe ekspertë nga e gjithë bota për të reflektuar mbi angazhimin e diasporës shqiptare në 20 vitet e fundit dhe për të eksploruar dhe reflektuar mbi rolin e saj në 20 vitet e ardhshme.

Konferenca e këtij viti është ndertuar rreth temës “GlobAL2020: Lidhu. Krijo. Bashkëpuno” që synon të eksplorojë mënyra në të cilat shqiptarët në të gjithë botën mund të ndikojnë pozitivisht dhe forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar, të kontribuojnë në rritjen e komuniteteve të diasporës dhe të bëjnë ndryshime domethënëse në jetën e atyre që jetojnë në vendet e origjinës.

Lexo më shumë: